Real Madrid është mbreti i Champions League, duke triumfuar për herë të 14-të. Los Blancos fituan 1-0 në finalen e Parisit përballë Liverpool. Një sukses historik edhe për Carlo Ancelottin, që vendos rekord me 4 trofe të Champions, 2 herë me Milan dhe 2 herë me Real Madrid.

 

Ndeshja nisi me 36 minuta vonesë si pasojë e mos hyrjes në kohë të tifozëve, kryesisht atyre anglezë. Liverpool dominoi totalisht në pjesën e parë dhe për nga rastet duhej të kishte shënuar.

Salah dy herë provoi, por priti i sigurtë portieri i Real. Më pas ishte Mane që goditi shtyllën, por një meritë ka edhe Courtois që e devijoi. Gardiani belg nuk surprizohet as nga goditja me kokë e Salah. Por në fundin e fraksionit të parë ishte Real që shënoi me Benzema, por pas rishikimit të VAR, goli u anulua për jashtë loje.

Pjesa e dytë nisi më e ekuilibruar. Për të ardhur në minutën e 59-të, kur Real kalon në avantazh me Vinicius Junior.

 

 

 

 

 

Valverde pason bukur nga e djathta dhe sulmuesi brazilian nuk fal me portën bosh. Liverpool hidhet menjëherë në sulm, por portieri i Real i thotë edhe 3 herë “jo” Salah.

Pavarësisht se Liverpool provoi pa fund deri në fund, nuk arriti të shënojë për ta çuar të paktën sfidën në shtesë. Real reziston dhe arrin të ngrejë lart trofeun e Champions për herë të 14-të. Liverpool, ndërkohë, ka fituar 6 herë trofeun me veshë të mëdhenj.

 

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb