TIRANË

Policia e Shtetit ka kryer kontrolle të imtësishme në të gjithë vendin, ndërsa ka sekuestruar një sasi të madhe të mjeteve piroteknike.  Me anë të një njoftim të shpërndarë për mediat, strukturat e policisë theksojnë  faktin se përgjatë javës që lamë pas ka sekuestruar rreth 8500 kapsolla e 200 fishekzjarrë, ndërsa ka proceduar shtatë persona.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit Vijon kontrolli në të gjithë vendin për sekuestrimin e lëndëve piroteknike. Sekuestrohen në Pogradec 200 kapsolla dhe në Kuçovë 245 kapsolla. Po gjatë javës që kaloi, në të gjithë vendin janë sekuestruar rreth 8500 kapsolla e 200 fishekzjarrë. Janë proceduar penalisht 4 shtetas dhe 3 të tjerë janë proceduar administrativisht.

Në zbatim të urdhrit të tre ministrave, nr. 661, datë 13.12.2018, “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike”, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim edhe me shërbimin zjarrfikës ka vijuar kontrolli i pandërprerë në subjekte të ndryshme dhe tregje me shumicë e pakicë, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e lendeve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Gjate javës që kaloi janë kontrolluar 4345 subjekte dhe janë konstatuar mallra fishekzjarrë apo lëndë piroteknike.

Si rezultat i kontrolleve në qarqet Dibër, Tiranë, Gjirokastër, Korçë e Berat, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 8500 kapsolla dhe 200 fishekzjarrë. Në lidhje me këto raste janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe 3 të tjerë janë ndëshkuar me masë administrative nga shërbimi zjarrfikës. Me qëllim që nata e ndërrimit të viteve të kalojë pa probleme për sa i përket lëndëve piroteknike, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb