Policia e Beratit ka “blinduar” mbrëmjen e sotme rrugët e qytetit, duke ngritur postblloqe të shumta në hyrje e dalje të Beratit. Pika të shumta kontrolli janë ngritur jo vetëm në Berat por edhe në çdo hyrje e dalje të qyteteve: Kuçovë, Dimal, Poliçan e Skrapar. Burimet policore bëjnë me dije se, kontrollet e ndërmarra sot kanë si qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim si dhe për rritjen e sigurisë rrugore.

Mësohet se në çdo hyrje dhe në dalje të Beratit dhe 4 qyteteve të tjera të qarkut, janë ngritur pika kontrolli, pjesë e të cilave janë bërë të gjithë sektorët e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, duke filluar që nga inspektorët e krimeve e trafiqeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor.

Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetetet, për tu verifikuar nëse janë persona në kërkim në Berat apo në qytete të tjera të vendit. Kontrollet policore nuk janë përqendruar vetëm në rrugët e qytetit, por edhe në baret e lokalet, që dyshohen për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb