Qyteti i Kukësit është përfshirë një atmosferë festive këtë fundjavë. E shtuna do të jetë një ditë e shumëpritur për kuksianët, klubin e Kukësit, por edhe për futbollin shqiptar. Pas më shumë se dy vitesh tashmë shtëpia e re e futbollit kuksian, “Kukësi Arena” është gati dhe do të hapë dyert për klubin dhe futbolldashësit. Impianti më i ri modern i futbollit shqiptar ka përfunduar dhe do të presë këtë të shtunën ndeshjen e “Abissnet Superiore” midis Kukësit dhe Laçit, që starton në ora 20:00.

Tashmë kemi edhe një tjetër vepër madhore infrastrukturore të futbollit shqiptar, i ndërtuar falë një investimi 50% i FSHF-së dhe 50% nga Qeveria shqiptare. Stadiumi gumëzhin nga stafi që po bën përgatitjet e fundit në mënyrë që stadiumi të jetë në gjendje perfekte për të pritur ndeshjen e parë, që do të hapet me nje ceremoni festive ku do të marrin pjesë edhe personalitete të larta shtetërore dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Interesi edhe nga tifozeria kuksiane është i madh dhe pritet që stadiumi të jetë i mbushur plot për sfidën e së shtunës. Shumë qytetarë kuksianë kanë vizuar gjatë gjithë ditës së premte mjediset e stadiumit dhe janë surprizuar me këtë vepër gjigande infrastrukturore për Kukësin.

“Kukësi Arena” është tashmë një realitet dhe një impiant ndër më modernët në Shqipëri, pasi ofron kushte dinjitoze për ekipet, tifozët dhe mediat me hapësira të bollshme dhe të mëdha për të gjitha nevojat që ka një ndeshje futbolli edhe e nivelit ndërkombëtar. Punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme janë të përfunduara. Impianti, që ka një kapacitet prej 6200 vendesh, siç e kërkon procedurat i është nënshtruar dhe testeve të fundit për fushën dhe ndriçimin, që kanë rezultuar pozitive.

Tashmë Kukësi do të kthehet të luajë në fushën e vet pas dy sezoneve, ndërsa futbollit shqiptar i shtohet një tjetër stadium modern, që plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe është në gjendje të presë ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare, në nivel klubesh dhe kombëtaresh. Përveç stadiumit qyteti i Kukësit do të ketë në të ardhmen edhe disa fusha të tjetra, që do të ndërtohen me kontributin e FSHF-së dhe Bashkisë Kukësit.

Madje punimet për njërën nga fushat, që do të jetë aneksi stërvitor i klubit të Kukësit, kanë nisur prej kohësh dhe kanë avancuar teksa parashikohet që të përfundojë brenda një kohë të shkurtër, teksa po diskutohet projekti për ndërtimin edhe të fushave të tjera. Një investim madhor për qytetin e Kukësit që pritet t’i japë një shtysë të madhe zhvillimit të futbollit në këtë zonë, duke rritur ndjeshëm interesin e të rinjve për t’u bërë pjesë e lojës më të dashur në Shqipëri, futbollit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: