Protestë paqësore në qendër të Athinës, nën kupolën e partisë “Aleanca e Pavarur e Atikës” dhe me pjesëmarrje të gjerë nga shumë shoqata minoritare, kundër ligjit të fundit për sigurimet shoqërore, që depozitohet këto ditë për diskutim në parlament.

Minoritarët e konsiderojnë ligjin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Janis Vrucis, një shkelje e hapur e premtimit parazgjedhor të qeverisë Micotakis, pasi jo vetëm diferencohen nga vendasit, por vendosen në të njëjtën kategori me gjithë të huajt dhe emigrantët e tjerë ekonomikë.

Konkretisht, ligji i ri ndryshon të gjitha paragrafet, përveç atij për pensionet e minoritarëve grekë. Konkretisht, nëse një i moshuar plotëson moshën për pension në 2020, por nuk ka lindur në Greqi, nuk konsiderohet se ka plotësuar 40 vite qëndrimi në vend, llogaritet banor i ligjshëm vetëm nga viti 1998, kur u pajisën me Kartën e Homogjenëve.

Në këtë rast plotëson vetëm 22 vite nga sa kërkohen për pension të plotë, duke humbur të paktën 172 euro në muaj. Si dhe, përsa i përket pensionit të minoritarëve, e quajtur Asistencë për të Moshuarit Grekë pa Sigurime Shoqërore, të bllokuar nga 2015 e që u zbatua përkohësisht pak muaj para zgjedhjeve, këtu e dy muaj, është anuluar për të gjithë minoritarët.

Në fjalën e tij, Andreas Kurtis, kryetari i “Aleanca e Pavarur e Atikës”, këshilltar i Prefekturës së Atikës ka theksuar, veç të tjerave se “Duam dhe Jemi miq me shqiptarët, por ne nuk jemi shqiptarë, jemi minoritarë grekë, jemi grekë dhe nuk ka nevojë të bindim asnjë qeveri greke për të vërtetën tonë, e kemi të certifikuar në ndërgjegjen tonë.

Nuk e ka vetëm Greqia privilegjin të lindin grekë, e ka edhe Shqipëria. Fakt që Greqisë mesa duket i pëlqen kur i intereson”. Ndërkohë që janë përshëndetur të gjithë minoritarët e suksesshëm në vend, që mbështesin protestën, ndërsa një referencë e veçantë është bërë dhe në kujtimin e Konstandinos Kaçifas. Minoritarët janë të vendosur të çojnë çështjen deri në fund, me protesta të shumta e të vazhdueshme, deri në trajtimin e barabartë me të gjithë grekët vendas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb