Banorët e Divjakës kanë protestuar dje përsëri kundër vendosjes së traut dhe pas konfrontimit me forcat e policisë e kanë shkulur traun, por pa e zhvendosur.

Gazetari Jul Kasapi raportoi për “BalkanWeb” se pas heqjes së traut situata është qetësuar. Trau u vendos dy ditë më parë nga kompania e cila kishte marrë të drejtën për mbledhjen e tarifës. Policia ka qëndruar në vend për të ruajtur rendin, por nuk ka pasur persona të shoqëruar.

Momentet e tensionit të situatës kanë zgjatur për pak kohë, teksa banorët kundërshtojnë vendimin për vendosjen e tarifës.

Vendimi i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vendosjen e një trau elektronik dhe bërja me pagesë për turistët dhe vizitorët, hyrja në parkun kombëtar të Divjakës ka nxitur reagimin e banorëve të zonës.

Banorët kundërshtojnë vendosjen e traut duke e konsideruar në shkelje të ligjit edhe nga ana e Bashkisë që ka dhënë lejen e ndërtimit.

Ata kundërshtojnë me force privatizimin e pasurisë kombëtare. Vendosja e traut me pagesë do të cenonte edhe bizneset që operojnë në këtë zonë të cilët thonë se do e mbrojnë me çdo kusht pasurinë e qytetarëve për mirëmbajtjen e së cilës kontribuojnë vazhdimisht.

Edhe më herët banorët kanë kundërshtuar hyrjen me pagesë në parkun e Divjakës, duke e cilësuar këtë një vendim për privatizimin e pronave shtetërore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb