ITALI

Arrestimi i shqiptarëve ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare, kryesisht e atyre që janë pikasur duke transportuar drogë në sasi të konsiderueshme. Por mediat nuk kanë qëndruar thjesht në kuadrin e dhënies së informacionit, por disa prej tyre kanë publikuar dokumentare mbi të.

Mbrëmjen e të martës në Itali, kanali “Tv Nove” ka transmetuar  dokumentarin i gazetarit investigativ spanjoll David Beriain mbi mafien shqiptare. Gazetari spanjoll përshkruan mafien shqiptare si një organizatë brutale dhe efiçente, e cila e ka gjenezën që në kohën e luftërave ballkanike.

Në përshkrimin e gazetarit thuhet mes tjerash se mafia shqiptare fillimisht ka qenë në grupe të vogla, por zhvillimin e mori pas lidhjeve me qarqet  politike. Kjo mbështetje sipas gazetarit Investigativ i dha një hov “oreksit” të mafies shqiptare  në trafikimin e drogës, armëve dhe qenieve njerëzore.

“Lobi shqiptar është i mbyllur. Prej  tij  shumë pak dihet dhe për herë të parë hap derën për një gazetar”, thekson ai.

Në një nga pjesë të dokumentarit transmetohet momenti kur një nga trafikantët  pret në brigjet e Italisë 5 kg kokainë, e cila ishte nisur nga Shqipëria dhe po transportohej me skaf. Gazetari shkëmben edhe një dialog  me anëtarin e mafias shqiptare, i cili nuk kursen ta pyes për sasinë: “Pse vetëm 5 kg dhe nuk transportoni më shumë”, por trafikanti i kthen përgjigjen si vijon: “Është më e lehtë që një njeri të transportojë 5 kg. Nëse humb një person nuk më intereson. Nëse humbas 100 kg më intereson shumë”.

Pjesë nga dialogu mes gazetarit dhe trafikantit:

Gazetari: Më fol për mafian shqiptare. Si do ta përshkruaje ti?

Trafikanti:  Eshtë si familja. Nuk flitet për të. Unë nuk flas për familjen time.

Tipologjia e mafies shqiptare shfaqet në forma të ndryshme sipas gazetarit dhe për këtë ai ka sjellë edhe një prononcim të një trafikanti, që merret me falsifikim dokumentesh. Kjo veprimtari shprehet trafikanti i siguron një shumë të konsiderueshme të ardhurash. Ata shprehen se hakmarrja për shqiptarët është detyrim jete, ndërsa i referohen edhe rregullave të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

“Hakmarrja për shqiptarët është një detyrim i jetës. Vrasja e një të afërmi, siç thuhet në ligjin e Kanunit, kërcënon me vdekje të gjithë meshkujt e familjes së vrasësit. Është pikërisht kjo, karakteristikë kryesore e organizatave kriminale shqiptare. Ato janë formuar në bazë të lidhjeve familjare dhe nga një kod i pashkruar i nderit dhe hakmarrjes”, theksohet mes tjerash.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb