Ish-deputeti i LSI-së Nasip Naço ka deklaruar sot publikisht kalimin tek Partia Socialiste dhe për shumë kënd ishte e papritur.

Por me sa duket ky kalim nuk ka qenë i papritur dhe vetë kryeministri Edi Rama duket se ka qenë i përfshirë në lëvizjen e tij duke e ftuar t’i bashkohet për një gotë verë apo për raki Skrapari.

Në videon e siguruar nga “BalkanWeb” të regjistruar një muaj më parë, Rama i shoqëruar nga ish-ministri tjetër i LSI-së, Lefter Koka dhe Damian Gjiknuri në një restorant duke i dërguar mesazhin ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për t’iu bashkuar, siç mund të kuptohet nga fjalët jo për të parën herë. Pak me batuta, pak duke i përmendur partinë, Rama e pyet se ku është dhe pse nuk shkon të pijë një gotë verë. Ndërsa Koka i shpjegon kryeministrit se Naço është i pakënaqur me LSI-në, pasi në vend të tij do të garojë Elona Guri në qarkun e Beratit.

Edi Rama: Po ku je mo Nasip, ku je mo burrë, kaq partiak je, sa nuk vjen as të pish një gotë verë? Se ti je dhe qytetar… pi njeriu një gotë verë… apo ke hall se të shpallin armik. Ti s’je shpallur akoma po në listë je për t’u shpallur për armik… shihe pak këtë shihe (tregon me telefon Damian Gjiknurin që qesh).
Hë mo fol ti…

Lefter Koka: Ky është pak kështu, nuk ka kurajo…

Edi Rama: Jo mo kurajë ka ky, por ka atë burrninë që do ta vrasin njëherë në mexhelis. O Nasip…

Lefter Koka: E ka vrarë Lona, i kanë thënë të vënë Elona Gurin para këtij…
Edi Rama: O Nasip, raki Skrapari vëlla, na fto ndonjë ditë, të jesh mirë, të përshëndesim vëlla.

Nasip Naço ka mbajtur disa poste të rëndësishme si përfaqësues i LSI-së. Në vitet 2008-2009, ka qënë Sekretar Politik i LSI-së, për Qarkun e Beratit, më pas është zgjedhur deputet i Qarkut te Beratit, për Grupin Parlamentar të LSI-së, dhe në periudhën 2009 – 2011, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në vitet 2011 – 2012, ka ushtruar detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Më pas rizgjidhet Zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë në korrik 2012. Në vitin 2013 Naço u zgjodh Ministër i Drejtësisë i Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: