TIRANË

Kryeministri Edi Rama jep lajmin se është përmirësuar situata me zjarrin në Llogara.

Përmes një video-mesazhi në “Facebook”, Rama deklaron se është zmbrapsur furia e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë, ndërsa shton se trupat e emergjencave do të vijojnë gjatë gjithë natës me mbajtjen nën kontroll të situatës.

“Zmbrapset furia e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë, e tani sapo është bërë rifreskimi i trupave që do të vijojnë gjatë gjithë natës me mbajtjen nën kontroll të situatës? #RESPEKT?”, shkruan Rama.

Në videon e publikuar nga Rama, flet zëvendës komandanti i Forcave Komando të Shqipërisë, major Pëllumb Hidri, i cili thotë se është parandaluar një vatër shumë e rrezikshme zjarri.

Sipas tij, nëse flakët do të depërtonin në pyllin e Llogarasë, atëherë kjo vatër do ishte e pamundur për t’u kontrolluar.

“Jemi në lartësinë 1350 metra. Siç shikohet sapo kemi ndaluar zjarrin. Ishte një vatër shumë e rrezikshme. Në krahun e djathtë do hynte në pyllin e Llogarasë dhe do ishte e pamundur për t’u kontrolluar. Në krahun e majtë është Llogaraja, ku falë ushtarëve është neutralizuar një vatër shumë e madhe në anën e Dukatit. Na ndihmuan dhe helikopterët me ujë nga sipër. Nëse do vijojmë me këto ritme, do e sigurojmë totalisht Llogaranë. Kishte shumë tym, falë këmbënguljes tonë arritëm ta ndalojmë”, thekson zëvendës komandanti i Forcave Komando.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb