Real Madrid i jep fund serisë së fitoreve, duke u ndalur në barazimin 2-2 në ndeshjen kundër Celta Vigo. Një suprizë e vërtetë në “Santiago Bernabeu”, e cila nisi të gatuhej shumë shpejt. Vetëm shtatë minuta nga nisja e topit të parë, miqtë kaluan në epërsi me Smolov. Pavarësisht përpjekjeve, të besuarit e Zidane nuk arritën të ndryshojnë rezultatin në pjesën e parë.

Pas pushimit, “los blancos” dhanë përshtypjen se sfida do të kishte një tjetër fund. Toni Kroos në minutën e 52-të barazoi shifrat. Më pas, në të 65-ën, nga pika e 11-metërshit kapiteni Sergio Ramos përmbysi rezultatin në favor të madrilenëve. Por festa e tyre u prish vetëm pesë minuta nga fundi i kohës së rregullt me Santi Mina që vulosi barazimin 2-2 për këtë sfidë.

Me këtë ndalesë, Real Madrid ruan kryesimin në La Liga, por i lejon Barcelonës të ngushtojë në vetëm një pikë diferencën në ndjekje. Ndryshe nga rivalët e përjetshëm, skuadra katalunjasi kishte fituar 2-1 kundër Getafe në ndeshjen e luajtur të shtunën.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb