Ish-deputetja e PD Albana Vokshi me anë të një postimi në “Facebook” ka publikuar një video, ku duket Edi Rama duke biseduar me një grua, e cila i tregon problemet e saj të përditshme.

Vokshi shprehet se Rama sikur është pro barazisë gjinore, por ai në të vërtetë nervozohet nga kryefamiljaret e vuajtura.

Postimi i Albana Vokshit:

Edi Rama dëshmoi edhe një herë që është hipokriti numër 1 në fushatën e tij të gënjeshtërt për Barazinë Gjinore, të cilën e propagandonte me këmbët mbi tavolinë, në nisje të ceremonisë për Presidencën e OSBE, zhvilluar në Sllovaki.

Këto ditë të zymta e të trishta për të gjithë, ditë që përkojnë me 16 ditët ndërkombëtare të aktivizmit të luftës kundër dhunës ndaj grave, Edi Rama ngado që ka shkuar ka fyer e dhunuar verbalisht, në mënyrë të pashembullt gra e fëmijë.

Përgjegjësi dhe shkaktari kryesor i situatës së mjeruar, që rëndon edhe më shumë mbi gratë e nënat, me gjuhë tallëse, diskriminuese, përçmuese, urrejtje e raciste, fyen e dhunon psikologjikisht çdo grua, e cila guxon të kërkojë llogari apo të kërkojë atë çfarë me ligj i takon. Sot, dua të përsëris thirrjen time për gratë e vajzat: Bëni kujdes nga Edi Rama!

Ai i do gratë të veshura shtrenjtë e mirë, për t’i rreshtuar ushtarakisht si dekor për propagandën. Atë e bezdisin, e nervozojnë gratë me veshje të thjeshta, punëtoret pa fjalë, kryefamiljaret e munduara, të cilat punojnë tërë jetën e tyre për t’ju siguruar fëmijëve një copë bukë. Atij i vrasin sytë, gratë e dinjitetshme, të cilat i kujtojnë atij se propaganda ka përkeqësuar qeverisjen dhe rrjedhojë e saj është rritja e varfërisë së skajshme e sot, menaxhimi pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Mos i besoni! Çdo dalje e tij në televizione gjatë shëtitjeve në pasojat e post-tërmetit, është vetëm propagandë për të fshehur abuzimet e tij me pushtetin, që kanë shkatërruar çdo qelizë të institucioneve dhe kanë persekutuar e detyruar profesionistët të heshtin e disa prej tyre të largohen duke lënë Shqipërinë pa ekspertizë në sektorët strategjikë.

Refuzojeni Edi Ramën, sepse qëndrimi i tij në krye të qeverisë, çdo ditë sjell papunësi më të lartë, varfëri më të thellë dhe përkeqësim të të drejtave të njeriut e statusit të grave dhe vajzave në Shqipëri. Aktivizimi kundër dhunës ndaj grave të nisë me refuzimin e Edi Ramës!

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb