Janë riaktivizuar vatrat e shuara të zjarrit në Lunxhëri të Gjirokastrës. Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar u bë e mundur shuarja e flakëve, por këtë pasdite situata është përkeqësuar sërish.

Një natë më parë, zjarret në këtë zonë shkrumbuan mbi 40 ha kullotë dhe shumë dru frutorë, kryesisht vreshtari. Ndërkohë, gazetarja Brikena Metaj sjell pamje në redaksinë e “BalkanWeb”, ku shihet se qyteti i gurtë është “pushtuar” sërish nga tymi e flakët, të cilat po avancojnë në pjesën e sipërme të fshatit Krinë dhe Kakoz, për shkak të temperaturave të larta.

Siç raporton gazetarja Metaj, deri më tani nga zjarri janë djegur pishat e fshatit Krinë dhe rrezikohen banesat e këtij fshati. Ndërkohë, flakët po avancojnë edhe në drejtim të fshatit “Asim Zeneli”. Gazetarja Metaj raporton nga Gjirokastra për “BalkanWeb” se tymi ka përfshirë gjithçka, ndërsa banorët kanë dalë në ndihmë të zjarrfikësve.

Për riaktivizimin e vatrave të zjarrit në Gjirokastër ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili thekson se si pasojë e erës, situata po agravon dhe zjarri është shume prane banesave.

“Ne Bashkine Gjirokastër, është shfaqur një tjetër varër zjarri e rrezikshme në Njësine Administrative Lunxhëri – Antigone, ku si pasojë e erës situata eshte agravuar dhe zjarri është shume prane banesave. Në vendngjarje po punojne strukturat e mbrojtjes civile. Gjithashtu ne mbeshtetje kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura. U bejme thirrje banoreve te jeme bashkepunues me strukturat shteterore per te zbatuar urdherin e evakuimit”, shkruan ministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb