Futbolli latin jetoi “Klasiken” e parë në këtë edicion të Kupës Libertadores. River Plate triumfoi në sfidën e parë gjysmëfinale, duke mundur 2-0 rivalët e përjetshëm të Boca Juniors. Si gjithmonë, përballja mes dy gjigandëve të futbollit argjentinas dhe atij në Amerikën e Jugut nuk i zhgënjeu aspak pritshmëritë, duke dhuruar gjithçka në fushën e lojës: spektakël në tribuna, tension, 11-metësh, karton të kuq dhe gjeste teknike.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për River. Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 7-të me 11-metërshin e kthyer në gol pas goditjes së saktë të Borre. Nuk ndryshoi rezultati në pjesën e parë, e cila u karakterizua nga përplasjet e forta dhe si rrjedhojë edhe karonët e shumtë të verdhë.

River Plate V Boca Juniors Superliga 2019/20
River Plate V Boca Juniors Superliga 2019/20

Pas pushimit në dhomat e zhveshjes, vendasit vulosën triumfin në minutën e 70-të, Fernandez ndali sërish topin në rrjetë për të dyfishuar rezultatin e River Plate, që hedh një hap të sigurt drejt finales së turneut më të rëndësishëm të futbollit latin për klube. Gjithesi, asgjë nuk është mbyllur, pasi më 23 tetor në mitikun “Bombonera” do të luhet ndeshja e kthimit që do të përcaktojë skuadrën e parë finaliste në Kupën Libertadores.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb