Recetë nga znj Katerina
Përbërësit

8 fileto pule
100-150 gr djathë kaçkavall
1 kg spinaq
2-3 qepë të njoma
8 feta proshutë të tymosur
3 lugë vaj ulliri
½ gotë verë
½ filxhan lëng pule
1 lugë gjalpë
Kripë, piper, trumzë ose rozmarinë

Përgatitja

Hapim filetot në një shtresë të hollë dhe i spërkasim me kripë dhe piper.

Kaurdisim qepën e grirë hollë me pak vaj, kripë dhe piper. Sapo qepa të zbutet shtojmë spinaqin në mënyrë graduale dhe e lemë derisa të ulë vëllimin.

Ndërkohë presim djathin në fetëza të holla.

Marrim filetot e pulës dhe i vendosim në tryezën e punës. Vendosim në fillim të çdo filetoje 2 fetëza proshutë, 2 feta djathë dhe 1-2 lugë spinaq. I mbledhim filetot e pulës role dhe i vendosim në një tigan të madh që nuk ngjit me pak vaj ulliri. Shtojmë në tigan për aromatizim dhe një degëz rozmarinë ose trumzë. Pasi filetot të kenë marrë pak ngjyrë nga të dyja anët i shuajmë me pak verë. Sapo të avullojë alkooli i rradhisim roletë në një tavë dhe i vendosim në furrë në temperaturën 180-200 gradë për 20 minuta.

Ndërkohë shtojmë tek tigani ½ filxhan lëng pule dhe sapo të marrë valë hedhim 1 lugë gjalpë dhe e lemë sa të bëhet një salcë e lidhur.

Pasi roletë e pulës të jenë pjekur i lemë pak të ftohen dhe i presim në fetëza duke i servirur në pjatë me spinaqin e mbetur dhe salcën e përgatitur.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: