VLORE– Anija ushtarake amerikane “Ross” po zhvillon një vizitë portuale të planifikuar më parë për të forcuar marrëdhënien tashmë jetëgjatë midis dy vendeve tona, dhe për t’u lejuar marinarëve mundësinë të përjetojnë mikpritjen e Vlorës dhe kulturën e pasur të Shqipërisë.

Këto lloj vizitash demonstrojnë përkushtimin e SHBA ndaj stabilitetit rajonal dhe sigurisë detare në këtë rajon jetësor të botës.

Anija do të qëndrojë tre ditë në portin e Vlorës, në kuadrin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ushtarake dypalëshe. Në një ceremoni të zhvilluar në anije të shtunën, morën pjesë Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, si dhe autoritete të tjera të ushtrisë shqiptare dhe qeverisjes vendore.

“Kjo ditë më kujton një ditë 41 vite më parë kur isha fëmijë dhe vizitova për herë të parë anijet e forcave detare ushtarake, anije që më kujtojnë shumë anijen amerikane “Ross”. Më kujtohet në atë kohë isha 10 vjeç, u ngjita tek shkallët e anijes dhe u futa në një dhomë të mbushur me pajisje, na folën për armët, teknologjitë , ku flinin marinarët, ku hanin ata, dhe se si kjo anije e madhe mund të na ndihmonte të mbronim vendin tonë. Dhe që në atë moshë të vogël më dha një respekt të madh për ata burra dhe gratë që shërbejnë në ushtri.

Jam shumë i lumtur që sot kemi zv/ministrin Koci dhe Gjeneralin Kollçaku dhe shumë zyrtarë të lartë ushtarakë shqiptarë, dhe gjithashtu jam i emocionuar pasi nesër shumë të rinj nga Vlora dhe Tirana do të vizitojnë këtë anije. Një nga misionet tona është të ndihmojmë të rinjtë e Shqipërisë të respektojnë forcat e ushtrisë si një profesion dhe për të gjithë ne të kuptojmë rolin e ushtrisë në mbrojtjen e shoqërive të lira në të gjithë botën. Si aleatë të NATO-s jemi shumë të kënaqur që kjo anije amerikane është sot këtu, dhe stafi i anijes mund të eksplorojë mikpritjen e këtij qyteti të bukur, të arrijë të njohë këtë kulturë. Falenderoj kryebashkiakun e Vlorës për mikpritjen për trupat amerikane”, tha ambasadori Lu.

Anija “Ross” ka në bord një ekuipazh prej 350 vetë dhe ka qenë pjesë e dhjetëra operacioneve ushtarake, më e fundit e tyre në Siri. Pas Shqipërisë, anija do t’i drejtohet Spanjës dhe më pas SHBA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb