Të shënosh 4 gola në Champions është diçka që nuk ndodh shpesh, aq më tepër në fushën e Tottenham. Serge Gnabry zhvilloi padiskutim ndeshjen më të madhe në jetë, një sfidë që do ta kujtoj gjatë por ky ishte dhe një sinjal i pastër që Bayern i jep kundërshtarëve:
“Bëmë një paraqitje madhështore në një nga mbrëmjet më të bukura në Champions. Katër gola kisha shënuar deri tani vetëm te skuadra e moshave. Një natë magjike për mua. Kjo fitore me siguri do të na japë më shumë vetëbesim për të përballuar sezonin. Kjo ndeshje ishte një mesazh i qartë për të gjithë se Bajerni nuk do të ndalet dhe se ky rezultat nuk ishte një rastësi, por fryti i punës që bëjmë çdo ditë në stërvitje”, u shpreh Gnabry.
I gjithë ambienti në gjermani duartrokiti këtë paraqitje të Gnabry ndërsa trajneri Niko Kovac vlerësoi shpirtin që shfaqi i gjithë ekipi: “Dua ti bëj komplimente të gjithë skuadrës. Ishin një kolektiv perfekt. Gnabry shënoi 4 gola por jam i lumtur edhe për mënyrën se si mbrojti, ishte protagonisti i ndeshjes. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme për Bayern dhe për futbollin gjerman”, theksoi Kovac në konferencë për shtyp.
Situata është e rëndë në radhët e Tottenham, kjo humbje trondit shumë sezonin e “gjelave” që e kanë nisur në mënyrën më të keqe të mundshme: “Në futboll ka rëndësi e tashmja dhe jo e shkuara. Ajo që kemi bërë 3 muaj me parë nuk ka asnjë rëndësi. Tani është momenti të qëndrojmë të bashkuar. Sigurisht jemi të zhgënjyer por duhet të ruajmë qetësinë”, u shpreh Mauricio Pochettino.
(BalkanWeb)