Odise Roshi ka mrekulluar këdo që ka ndjekur atë silurë që ka përfunduar në rrjetë. Në minutën e fundit të kohës shtesë, mesfushori i kuqezinjve ka goditur fluturimthi për të realizuar një eurogol që vulosi fitoren e Terek Groznit 3­1 ndaj Rubin Kazanit në shtëpi.

Dedikimi
“Nuk e di nëse është apo jo goli më i bukur që kam realizuar ndonjëherë, pasi është mirë që të tjerët të bëjnë vlerësime për mua dhe jo unë për veten. Gjithsesi, kam një dedikim për babanë tim. Ky gol i shkon atij pasi ka pasur ditëlindjen të shtunën dhe më vjen mirë që munda t’i bëj këtë dhuratë. Gjithashtu ia dedikoj edhe bashkëshortes sime”, nis fjalën e tij për “Panorama Sport” mesfushori kuqezi.

Dhomat e zhveshjes
“Të gjithë më uruan. Ishte atmosferë gazmore sepse ia dolëm që të merrnim një fitore të rëndësishme. Më kanë thënë të gjithë që ‘Nuk e ke idenë se çfarë goli ke shënuar’”.

Trajneri
“Më komplimentoi dhe më tha: ‘Bravo për atë që bëre’. Normalisht që dua të kem më shumë minuta dhe mendoj se meritoja që të luaja që nga minuta e parë edhe sot (dje). Megjithatë… kam besim se ndeshjen e ardhshme do të kem një fanellë titullari”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: