Barcelona ka arritur një fitore shumë të vështirë në fushën e Leganesit, skuadrës së vendit të fundit të kampionatit spanjoll. Katalanasit kanë përmbysur shifrat në pjesën e dytë, por kanë shfaqur sërish limite të theksuara në fazën ofensive, ndërsa goli i fitores së blaugranave ka krijuar jo pak përshtjellim te vendësit, ndonëse VAR-i u dha të drejtë miqve.

Leganes e nis ndeshjen më mirë dhe kalon në epërsi me anë të një goli të shkëlqyer të El Nesirit, që në minutën e 12-të shënon një perlë të vërtetë në kuadratin e Ter Shtegenit. Katalanasit përpiqen të marrin kontrollën e lojës, por do vuajnë shumë në pjesën e parë.

Por në pjesën e dytë goli i shpejtë i Suarezit, që riktheu barazpeshën në të 53-ën, detyroi Leganesin të tërhiqet pas dhe, pas shumë aksiovene të mbyllura pa sukses, goli i fitores do vijë nga zhvillimet e një këndoreje, ku Vidal shtyn në rrjetë. Protestojnë vendësit, kiliani është dukshëm jashtëloje, por topin tek ai e ka çuar një mbrojtës i Leganesit dhe VAR-i i jep golin Barcelonës, që fillimisht u anulua nga anësori.

Mbyllet 2-1 për Barcelonën, që ngjitet në kuotën e 28 pikëve dhe pret e qetë ndeshjen e Real Madridit kundër Sociedadit, për të parë në do kryesojë e vetme apo jo pas javës së 13-të.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb