Sassuolo tremb Juven me dhjetë lojtarë, rezultati final 3-1 duket një gënjeshtër, pasi kjo nuk ishte një ndeshje aq e lehtë për “Zonjën e Vjetër”. Ronaldo me shokë e kishin të vështirë të gjenin rrugën e rrjetës duke mbyllur pjesën e parë në barazim pa gola por në epërsi numerike, Obiang u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 45-të. Me fillimin e pjesës së dytë, bardhezinjtë kaluan në avantazh me Danilo por festa zgjati vetëm tetë minuta pasi Defrel barazoi shifrat në 1-1. Për të gjetur golin e avantazhit, Juve duhet të priste deri në minutën e 82-të teksa Frabotta dhuroi një asist perfekt për Ramsey. Nuk mungoi në apel as C.Ronaldo, i cili në shtesë, në minutën e 92-të sigloi shifrat përfundimtare në 3-1.

Ky ishte një trepikësh shumë i rëndësishëm për Juven përpara sfidës kundër Inter, por në të njëjtën kohë ishte një fitore me shumë kosto pasi dy lojtarë, McKennie dhe Dybala u largua nga fusha të dëmtuar. Prezenca e tyre kundër Inter është në dyshim, gjithashtu edhe Chiesa i cili shtrëngoi dhëmbët për të qëndruar në fushë deri në minutën e 86-të. Kundër Inter është e sigurt mungesa e De Ligt, i rezultuar së fundmi me COVID-19 ndërsa për Cuadrado dhe Alex Sandro kërkohet një tampon negativa përpara ditës së premte.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb