Pas Interit e Lazios ishte radhë e “bigëve” të tjerë në Serie A të zbrisnin në fushë për startin e Serie A. Juventus krijoi iluzionin e një fitoreje të lehtë në transfertë përballë Udines teksa brenda 23-të minutave kaluan dy herë në avantazh falë golave të Dybala dhe Cuadrado.

Gjërat u ndërlikuan ndjeshëm në pjesën e dytë teksa miqtë u rikthyen në lojë, dy gafa të portierit Szczensy tërbuan trajnerin Allegri.

C.Ronaldo, i hedhur në fushë si zëvendësues, bëri që tifozët e “Zonjës së Vjetër” të shpërthenin në festë  në minutën e 94-të me kokë arriti të dërgojë topin në rrjetë. Festa e CR7 dhe tifozëve bardhezi u ndal nga sistemi VAR i cili anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje duke lënë në fuqi rezultatin 2-2, një barazim i hidhur, një hap fals që në start që vërteton se Juves dhe Allegrit i duhet ende shumë punë.

Debuton me fitore në këtë rikthim të tij në Serie A Jose Mouronho. Roma e tij mposhti Fioren me rezultatin 3-1 ku gjithçka nisi mbarë për verdhekuqtë teksa portieri Dragowski u ndëshkua me karton të kuq pasi një faulli ndaj Abraham. Mikhitarian kaloi kryeqytetasit në avantazh në minutën e 26-të ndërsa me fillimin e pjesës së dytë Zanilio u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke rikthyer baraspeshën numerike në fushë. Milenkovic barazoi shifrat provizorisht në 1-1 në minutën e 60-të përpara se Veretout të realizonte një dopjetë.

Me fitore te pastër 2-0 e nisi dhe Spalletti aventurën e tij në krye të Napolit duke kaluar me lehtësi Venezian. Osimhen u ndëshkua në pjesën e parë me karton të kuq ndërsa në të dytën Insigne dhe Elmas realizuan për napolitanët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb