Sevilja është finalistja e parë e Ligës së Europës. Specialistë të vërtetë në këtë kompeticion, formacioni spanjoll mundi me përmbysje 2-1 Manchester United, ndërsa pret të njohë rivalët e fundit drejt trofeut që do të dalin nga gjysmëfinalja e dytë mes Interit dhe Shakhtar Donjeck. Një dalje zhgënjyese për “Djajtë e Kuq” që dominuan me lojë dhe raste, por pa sukses. Disfata e të besuarve të Solskjaer bëhet më e hidhur pas epërisë së shpejtë të sigluar nga Bruno Fernadez nga pika e 11-metërshit që në minutën e nëntë.

Avantazhi i skuadrës angleze zgjati deri në minutën e 26-të, kur Suso barazoi shifrat dhe vulosi rezultatin e pjesës së parë. Me rikthimin në fushë pas pushimit, Manchester United mori në dorë frenat e lojës. Anglezët iu afruan në shumë raste golit të dytë, por shpërdoruan të gjitha mundësitë për shënim. Këtu hyn në lojë ligji i pashkruar I futbollit që nëse nuk shënon do ta pësosh. Dhe në minutën e 78-të, gabimi i mbrojtjes I kushtoi shtrenjtë Manchester United. De Jong dërgoi topin në rrjetë për të plotësuar përmbysjen dhe fitoren e Seviljes që kthehet në finalen e Ligës së Europës pas katër vitesh mungesë.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb