Skuadra luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Partizanit dhe në prag të këtij takimi, trajneri Orges Shehi u shpreh për kanalin zyrtar të klubit, se Kukësi është në gjendje optimale për të përballuar 90 minutat që e presin në “Selman Stërmasi”. Siç dihet, ekipi ndodhet prej më shumë se 2 javësh në Elbasan ku edhe po kryen një fazë përgatitore dhe për Shehin, kjo fazë ka qenë një ndihmë e madhe për futbollistët të cilët pak nga pak po arrijnë formën fizike. Ndryshe nga ndeshja me Luftëtarin ku kishte mungesa, ndaj Partizanit rikthehen Obanor, që ka shlyer dënimin e kartonëve dhe Rroca që vuante nga një tërheqje muskulore. Takimi mes Partizanit dhe Kukësit luhet ditën e nesërme në orën 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe ashtu si javën e 27, sërish do të luhet pa tifozë për shkak të masave kundër Covid19.

Ndeshja me Partizanin?
Është nje ndeshje e rëndësishme për objektivat që kemi. Janë kampionët në fuqi edhe pse kanë rezultate jo të mira por kanë skuadër të mirë, prandaj ka shkallë vështirësie të lartë, por futemi për maksimumin. Jemi të plotë sepse rikthehen Obanor dhe Rroca dhe kemi kontigjent të plotë perveç Limaj që nuk është në 100%.

Ndeshja me Luftëtarin dhe fitorja në fund?
Fituam në fund por të mos harrojmë që kemi qenë konstantë duke pasur shumë raste. Kemi punuar për të mbyllur ndeshjen dhe rastet që kemi duhen konkluduar sepse në futboll po nuk shënove, pëson.

Faza përgatitore?
Pas një shkëputje prej 2 muaj e disa ditë, do të jetë e vështirë por skuadra u shpreh lirshëm dhe nuk kishte dëmtime. Kjo fazë na ka shërbyer për të ardhur në gjendje optimale.

Titulli kampion?
Kemi objektiva madhorë dhe rruga e titullit kalon te Partizani. Do të fokusohemi shumë te ndeshja e radhës për të arritur objektivat që kemi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb