Një video e publikuar ditën e sotme, tregon momenti kur shefi i Krimit Ekonomik në Shkodër, Pjerin Lazri, ka nxjerrë pistoletën për të kërcënuar dhe frikësuar tregtarët, të cilët po tentonin të merrnin nga furgoni duhanin e sekuestruar. Por këtij reagimi të shefit të Krimeve, tregtarët e duhanit i janë përgjigjur duke e gjuajtur atë me sende të forta.

Përplasja ka ndodhur në lagjen “Rus” në Shkodër, dhe kjo nuk herë e parë që ndodh, ndërsa inspektorët e Tatimeve dhe të Krimit Ekonomik të drejtorisë vendore të Policisë së Shkodrës, po zhvillonin një aksion blic për sekuestrimin e sasive së duhanit që ata shesin çdo ditë aty.

Pavarësisht kësaj, tregtarët janë të vendosur për të vijuar punën duke mos marrë parasysh se çfarë masash mund të merren ndaj tyre. Deri në këto momente dy prej tregtarëve të duhanit janë shoqëruar në Komisariatin e Shkodrës për ngjarjen e ndodhur.

Tregtarët e duhanit vijnë nga zona të ndryshme, kryesisht nga fshatrat e njësisë Guri Zi dhe Postribë, për të shitur duhanin që e kultivojnë vetë dhe më pas e bëjnë gati për treg. Kjo mënyrë sipas Doganave dhe Tatimorëve cilësohet si kontrabandë, ndaj edhe herë pas here janë zhvilluar aksione për sekuestrimin. Tregtarët nuk janë dakord për këto aksione, sepse sipas tyre me shitjen e duhanit mbajnë familjet e tyre, dhe thonë se nuk kanë të ardhura të tjera. Po ashtu nuk ka as një treg për ta shitur duhanin, ndërsa atë nuk ia grumbullon shteti, por as ndonjë grumbullues privat për eksport apo përpunim të brendshëm.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb