TIRANE- “Jeta osh Qejf” ka mundur të sigurojë pamjet e tmerrit para derës kryesore të shkollës “Andona Zako Çajupi” në Tiranë, ku 17-vjeçari Kristi Suti u plagos rëndë me thikë nga dora e bashkëmoshatarit të tij, Marsel Sula pas një sherri të nisur fillimisht në Facebook.


I riu mori plagë të rënda, sepse thika i ka prekur arterien e këmbës dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Në video tregohet momenti i plagosjes, ndërsa adoleshenti shfaqet i shtrirë në rrugë, i mbuluar nga gjaku. Në vendin e ngjarjes ka kaos dhe dëgjohen të bërtiturat e njerëzve të alarmuar të cilët, ndalin edhe makina rrugës.

Siç shihet në fund të videos nervozizmi i njerëzve bëhet edhe më i madh kur vjen ambulanca dhe gjendja e djalit dobësohet, duke humbur krejtësisht ndjenjat. “Fute shpejt o plehrë”, dëgjohet zëri i një burri, shoqëruar me britmat e grave përreth.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme rreth orës 12:35, para oborrit të shkollës “Çajupi”, nxënës të së cilës janë edhe dy bashkëmoshatarët e përfshirë në konflikt.

Mësohet se sherri mes nxënësve ka nisur fillimisht në rrjetin social “Facebook”, me mesazhe me fjalë fyese, për të vazhduar më pas edhe brenda shkollës. Por në mbarim të mësimit, dy nxënësit janë konfrontuar fizikisht para derës së shkollës, e më pas Marsel Sula (ne foto) ka goditur me thikë bashkëmoshatarin Suti duke e plagosur rëndë.

Vetëm pak minuta më pas, uniformat blu kanë ndaluar autorin e plagosjes, Marsel Sula tek rruga “Kongresi i Manastirit”. 16-vjeçari rezulton të jetë i dënuar më parë për vjedhje.

16-vjeçari ka dëshmuar në polici se se ka qënë i plagosuri ai që e ka qëlluar i pari.

“K.Suti më shau fillimisht me shaka, e kam sharë dhe unë pastaj, ai më goditi me grushte dhe unë i jam kundërpërgjigjur duke i rënë me një copë xhami të mprehtë. Unë jam vetëmbrojtur nuk kam dashur të zihem me të”.

Por version i tij se e ka goditur me xham bie poshtë, pasi rreth orës 15 e 20 minuta, policia arriti të gjente në zonën pranë Oxhakut, rreth 800 metra larg shkollës, thikën me të cilën 16-vjeçari kreu plagosjen.

Për sqarimin e plotë të dinamikës, policia ka shoqëruar 12 persona, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb