Të pafat, por me një lojë të bukur dhe premtues, Prestige MFC e nis me një barazim 2-2 aventurën në këtë edicion të Champions League. Me një ekip ndryshe, në emra dhe staf, Prestige MFC në sfidën e parë në grup, atë kundër 7Edma Patrioti, i mungoi finalizimi përpara porte, teksa krijuan një volum të lartë dhe raste për shënim. 14 minuta lojë i mjaftuan Shimës për të realizuar një gol shumë të bukur, ku me një parabël të ëmbël kaloi portierin sllovak duke dërguar topin në rrjetë.
Prestige MFC shtoi dhe më shumë presion në zonën kundërshtare, duke krijuar sërish një rast të pastër katër minuta më pas.

Me fillimin e pjesës së dytë, në zbritjen e parë në sulm, sllovakët barazuan shifrat me një goditje të fortë nga distanca. Prestige MFC shtyn gjithnjë e më shumë drejt sulmit, por portieri i Edma Patrioti u kthye në pengesë duke shmangur të paktën dy raste të pastra për gol. Më në fund, në minutën e 35-të, Hysko finalizoi me gol një kundërsulm prefekt.

Pikërisht atëherë kur nuk pritej, në minutat e fundit të sfidës, një devijim i pafat i Shimës vendosi baraspeshën, me dy ekipet që ndajnë nga një pikë pas barazimit 2-2.

Prestige MFC bën pjesë në grupin A në këtë edicion të minifutbollit në Champions, një turne që zhvillohen në Malin e Zi, ku marrin pjesë 24 ekipe të ndara në 6 grupe. Në fazën me eliminim direkt kalojnë dy ekipet e para të çdo grupi dhe 4 vendet e treta më të mira. Kujtojmë që Prestige MFC është ekipi i vetëm shqiptar që ka arritur të shkojnë deri në fazën gjysmëfinale të Champions League në miniftuboll.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb