Armando Broja është kthyer në një nga lojtarët më interesantë në kampionatin anglez dhe nuk është çudi që ndaj tij ka filluar një “trajtim i veçantë” nga kundërshtarët. Kjo shihet tashmë thuajse në çdo ndeshje ku ai gjithmonë mbulohet nga 2 rivalë dhe në rastin kur nis një nga shpërthimet e zakonshme, i bëhet menjëherë faull, pasi e dinë se sa i jashtëzakonshëm është sprinti i tij.

Në ndeshjen e Sauthempton ndaj Uest Hem, ishte ylli i Anglisë, Deklan Rajs, ai i cili e pranoi me dëshirë një karton të verdhë për të ndalur futbollistin shqiptar. Në minutën e 33-të të ndeshjes, Broja fitoi topin në mesfushë dhe pas një kontrolli të shkëlqyer, u bë gati për një nga shpërthimet e tij.

Por Rajs i bëri menjëherë një ndërhyrje nga mbrapa për të evituar daljen para futbollistit shqiptar, i cili në raste të tilla garanton thuajse gjithmonë rrezikshmëri për portën kundërshtare.

Ky trajtim gjatë Brojës vazhdoi gjatë gjithë ndeshjes, me lojtarët e Uest Hem që nuk kishin mënyrë tjetër për ta ndalur atë.

Në një faull tjetër ishte Douson i cili shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me të verdhë.

Gjithashtu, në listën e të ndëshkuarve përfundoi edhe Bouen, po për një ndërhyrje të rëndë kundër futbollistit shqiptar, i cili dukej i pakapshëm në këtë duel.

Ndaj nuk ishte rastësi që tifozët e Sauthempton e përshëndetën me duartrokitje lojtarin kur u zëvendësua në minutën e 81-të të ndeshjes që skuadra e tij fitoi me shifrat 3-2.


/Panorama Sport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb