Në kufijtë e të pabesueshmes është ajo e Haxhire Gurakuqi, 90-vjeçarja e cila figuron të ketë një pasuri 30 milionë dollarë, si pjesë e një skeme evazioni fiskal nga inceneratorët.

Teksa sot 90-vjeçarja që jeton në azil në kryqet më herët është bërë personazh i emisionit ‘Jetë pa filtër’ të autores Ervisa Lula në News24.

90-vjeçarja më 5 korrik të vitit të kaluar i bënte thirrje të birit që të kujdesej për të dhe të kthente sytë nga nëna.

BalkanWeb ju sjell si më poshtë rrëfimin e të moshuarës 90-vjeçare në emisionin ‘Jetë pa filtër’.

EMISIONI 5 KORRIK 2021
Haxhire Gurakuqi, nëna e vetmuar në strehën e të moshuarve i bën thirrje të birit t’i ktheje sytë nga ajo. Konfliktet në familje bënë që Haxhireja të siguronte vetë qiranë, ushqimet e nevojat bazike për 20 vite, ndërsa para 1 viti e më shumë trokiti në derën e një institucioni privat për të moshuar për të kaluar vitet që i kanë mbetur.

Nuk dëshiron të japë shumë detaje, por me fjali të shkurtra thotë se jeta është një luftë e pafituar dhe shpreson që i biri një ditë ta takojë. Gjatë intervistës për emisionin “Jeta pa filtër” i autores Ervisa Lula, Haxhireja thotë se e fal djalin që e ka rritur e vetme që 7 vjeç. Haxhirenë e lamë me kokën nga dera e shpresën se do e shohë qoftë e dhe një herë të vetme të birin.

DENONCIMI I KRYEMADHIT
Në një denoncim publik, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi publikoi edhe rastin e dy të moshuarve, Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi, të cilët rezultojnë me pasuri marramendëse.

“I gjithë sistemi ka funksionuar me një mbikëqyrje perfekte nga kryeministri. Nëse do kishim hetim tatimor që do hetonte do shikonte që frutat ekzotike janë shndërruar në asfalt. Të gjithë materialin ia kemi bërë gati prokurorisë së posaçme. Për të 24 kompanitë do të informojmë prokurorinë në mënyrë që ata të mos bëjnë asgjë tjetër, por vetëm të verifikojnë. Të verifikojnë edhe këta 94-95 vjeçarët që kanë blerë biznese 30 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb