Bekim Balaj po kalon një formë të shkëlqyer dhe këtë po e tregon javë pas jave me fanellën e Terek Groznit në kampionatin rus të futbollit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka qenë protagonist në suksesin 3-1 të skuadrës së tij ndaj Rubin Kazan, duke shënuar një gol që ndihmoi skuadrën të ngjitej në vendin e katërt të klasifikimit në kampionatin rus. Në këtë ndeshje protagonist u bë edhe Odise Roshi, i cili shënoi një gol të shkëlqyer në minutat shtesë të takimit për të vulosur suksesin e ekipit.

Balaj, ishte si zakonisht titullar në këtë duel dhe tregoi të gjitha vlerat e tij si golashënues me një gol të shkëlqyer në minutën e 18, kur pas një harkimi nga krahu i majtë, me një zhytje me kokë ai dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së tij.


Bekim Balaj Amazing Goal Terek Grozni 1-0 Rubin… by Fiksalsport

Sulmuesi luajti të 90 minutat e kësaj sfide, ku u ndëshkua edhe me karton të verdhë, ndërsa Odise Roshi u aktivizua në minutën e 79 të ndeshjes të cilën Rubin Kazan e mbylli me 9 lojtarë për shkak të dy kartonëve të kuq. Mesfushori u aktivizua për të kërkuar një tjetër gol falë kësaj epërsie numerike dhe ai nuk zhgënjeu, duke dërguar topin në rrjetë në minutat shtesë të takimit me një predhë spektakolare nga jashtë zonës, për të vulosur rezultatin përfundimtar 3-1. Festa e ekzagjeruar duke hequr fanellën pas golit i kushtoi një karton te verdhë lojtarit shqiptar.

Ky ishte goli i katërt në kampionat për Balajn dhe i pari për Roshin, të cilët po justifikojnë plotësisht investimin që bëri klubi duke blerë kartonin e tyre nga Rijeka në verë./panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: