TIRANË

Stadiumi kombëtar i shqiptarëve, Arena Kuq e Zi është gati të nis rrugëtimin historik me super ndeshjen Shqipëri – Francë, që ka ngjallur interes të madh në të dy vendet respektive.

24 orë para ndeshjes së shumëpritur, impiantit super modern po i bëhen shërbimet e fundit, ndërsa në vendin tonë kanë mbërritur shumë media prestigjioze europiane.

Që pa hapur dyert për vizitorët dhe kureshtarët e shumtë, 23 mijë metrat katror të fasadës së jashtme tërheqin si me magnet vëmendjen e kujtdo që kilometra larg, duke e kthyer këtë impiant futbolli në një pikë të fortë atraksioni në kryeqytet.

Investimi më i madh në historinë e futbollit shqiptar, Arena Kombëtare është një vepër inxhinierike e realizuar nga kompania e mirënjohur Alb Star që ka një histori të gjatë suksesi 25-vjeçare, gjatë së cilës ka realizuar mbi 200 vepra të mëdha në sektorin e ndërtimeve civile dhe industriale.

Në vetëm tre vite kompania ALB STAR ka kryer një punë kolosale  barazim me 190 mijë metra kub gërmime, mbi të cilat sot ngrihet stadiumi 22 mijë vendesh që dominohet nga ngjyra e kuqe dhe ajo e zezë, si flamuri kombëtar. Struktura me elementë dhe dizajn bashkëkohorë ka në përbërje 178 mijë metra katror armatura të zhvilluara dhe 70 mijë metra kub beton e 12 mijë ton hekur.

Brenda fortesës sportive krahas lojës me top do të ketë edhe shumë jetë, pasi stadiumi është konceptuar edhe si një qendër multifunksionale  brenda së cilës gjendet super hoteli Marriot, ambiente tregtare dhe bare në katin zero si dhe zyra e ambiente shërbimi në katet 3 dhe 6.

Tani që gjithçka është gati mund të themi se Shqipëria ka nderin më në fund të ketë një stadium modern të gjeneratës së fundit sipas të gjitha standardeve të UEFA-s e ku kombëtarja kuq e zi i ka të gjitha shanset të tregojë klasin e arritur në futboll.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb