Më në fund duket se puna e Gennaro Gatusso-s dhe të gjithë afrimeve jo pak të bujshme ka filluar të japë frytet te Milan. “Djalli” ka mundur sot në takimin e javës së 22-t Lazio-n në shtëpi me rezultatin minimal 2-1 që e çon në 3 numrin e fitoreve radhazi të kuqezinjve në kampionat.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 15-t nga Patrick Crutone që fillimisht u duk se realizoi me kokë, por nga përsëritjet shihet se futbollistit i duhej dora për ta dërguar topin në rrjetë. Gjithsesi ai që vlen është goli.

Avantazhi i Milan zgjati shumë pak pasi Marusiç ekzaktësisht pas 5 minutash veproi bukur në zonë duke mposhtur Donnarumma-n. Pjesa e parë do të mbyllej në epërsi në favor të Milan pasi Bonaventura mposhti për herë të dytë Strakoshën.

Fraksioni i dytë i lojës prodhoi disa raste të rrezikshme në të dy portat, por rezultati mbeti i pandryshuar, 2-1 për Milan.

Duhet theksuar se në këtë takim paraqitja e portierit shqiptar të Lazio-s, Thomas Strakosha, ishte në nivelin e duhur pasi gardiani shpëtoi mjaft herë portën. Gjithsesi pa mundur të shmangë humbjen.

Pas 22 javësh në “Seria A” Milan renditet i 7-i me 34-r pikë, 10 më pak se Interi i vendit të 4-t, pozicion që të dërgon në “Champions League”. Ndërkohë Lazio pozicionohet e 3-a me 46-t pikë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb