Nga: Enrik Mehmeti

Pavarësisht konflikteve etnike mes Shqipërisë dhe Serbisë, dy vendet tona ballkanike, kanë shumë të përbashkëta duke nisur nga gjuha, letërsia dhe deri te kultura. Prej dy ditësh, në Universitetin e Vlorës është duke u zhvilluar konferenca Shkencore “Mapping Balkan Routes, literary, cultural and linguistic landscapes”, aktivitet i cili është organizuar nga Universiteti i Vlorës dhe ai i Beogradit, duke mbledhur profesorë të gjuhës nga i gjithë Ballkani.

Vetëm nga Serbia kanë qenë të pranishëm 12 ndër profesorët më të njohur serbë ku sëbashku me ata shqiptarë dhe të vendeve të tjera ballkanike kanë dëgjuar dhe reflektuar mbi pikat e përbashkëta mes dy popujve. Rektori i Universitetit të Vlorës, Roland Zisi është shprehur se përgjatë shekujve historia ka treguar se popujt e Ballkanit kanë shumë pika të përbashkëta mes njëri-tjetrit.

Në rajonin e Ballkanit jetojnë popuj me lashtësi antike, ose popuj paleo-ballkanas, dhe të tjerë të formuar më vonë. Ai shtoi se Karakteri multinacional, multigjuhësor, multialfabetik dhe multifetar ka krijuar përfytyrimin e shtrembër se në Ballkan nuk mund të ketë përbashkësi kulturore. Edhe sot ekziston dyshimi se Ballkani mund të ketë një të ardhme të mbështetur në parime themelore jetësore të njerëzimit se mund të ketë një Ballkan të bashkuar dhe jo një Ballkan të përçare ashtu siç ndodh shumë shpesh. Sipas të pranishmëve, ky aktivitet shërbeu dhe si një urë më shumë për të zbutur marrëdhëniet mes dy vendeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb