Moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi, që ka përfshirë orët e pasdites qytetin e Beratit, ka shkaktuar përmbytje në çdo aks rruge në qytet dhe në shumë lagje. I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka bllokuar si rrugët kryesore, ashtu edhe ato të shumë lagjeve të qytetit, duke vështirësuar mjaft lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Reshjet intensive të shiut, që vijojnë ende pa ndërprerje, kanë vërshuar në disa nga rrugët kryesore të qytetit që janë ende nën pushtetin e ujit. Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”,“Kthesa e Gjykatës”, “Stadiumi i Vjetër”, “Axhensi” etj, ku duket qartë që uji ka vërshuar në rrugë dhe ka mbuluar edhe trotuaret.

Thuajse të gjitha rrugët e qytetit prej rreth 1 ore janë në pushtetin e ujit, ashtu si dhe shumë lagje të qytetit, ku është e pamundur të hysh në këmbë. Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu, dhe shkak për këtë mendohet të jetë bllokimi i tubacioneve të ujërave të larta, të cilat bëjnë që i gjithë uji të vërshojë në çdo rrugë e lagje të qytetit.

Në rrugë kanë dalë tashmë edhe punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në bashkinë e Beratit, të cilët po bëjnë të mundur zhbllokimin e pusetave, në mënyrë që të mundësohet edhe tërheqja e ujit nga rrugët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb