Një super-aksion është zhvilluar nga Policia e Tiranës, e cila pas ndjekjes si në filma të një “BMW-je”, ka arritur të kapë dy të rinjtë e rrezikshëm, me silenciator dhe celular, që dyshohej se do përdorej për shpërthim të lëndës eksplozive në distancë.

Në pranga kanë rënë dy të rinjtë 24 dhe 29-vjeçarë, banues në Fushë-Krujë, të cilët në momentin që kanë parë se po ndiqeshin nga policia, kanë hedhur nga dritarja e makinës silenciatorin dhe aparatin telefon, që do ta përdornin për prodhim të minave me telekomandë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Qarkullonin me armë zjarri me silenciator me vete, nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar, por pas ndjekjes nga forcat “Shigjetat” vihen në pranga një 24-vjeçar dhe një 29-vjeçar.

Sekuestrohen armë zjarri me silenciator dhe aparat telefon, i cili dyshohej se do të përdorej për prodhim të minave me telekomandë.

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë shtuar kontrollet, sidomos në orët e vona të mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit, me qëllim kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, por dhe dyshimit të krijuar nga shërbimet e Policisë “Shigjetat” për lëvizjet e kryera nga një drejtues mjeti me automjetin e tij në momentin që ka parë forcat e Policisë, atij i është dhënë shenjë për të ndaluar, me qëllim ushtrimin e kontrollit fizik të personave dhe të automjetit, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen.

Forcat “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të automjetit tip “BMW”. Drejtuesi i automjetit, kur ka parë se po ndiqej nga forcat “Shigjetat”, ka hedhur nga dritarja e makinës një armë zjarri pistoletë me silenciator, si dhe një aparat celular që përdoret për shpërthime në distancë.

Policia ka bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe të dy personave që udhëtonin me këtë automjet. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tyre, konkretisht:

– E. Z., 29 vjeç, banues në Fushë Krujë;
– E. A., 24 vjeç, banues në Fushë Krujë;

Në vendngjarje grupi hetimor gjati dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, një silenciator, 13 fishekë luftarak dhe një aparat celular që dyshohej se do përdorej për shpërthim të lëndës eksplozive në distancë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të kryera në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb