Nga Zonja Katerina

Përbërësit
Brumi:
220 gr miell
1 kokërr vezë
70 gr sheqer
60 gr vaj
½ ls pluhur pjekës

Kremi:
500 ml qumësht
2 kokrra vezë
½ filxhan sheqer
2 lgj niseshte
Lëkurë limoni

Përgatitja

Marrim një tavë të rrumbullakët të vogël dhe një letër kuzhine. Masim fundin e tavës dhe letrën e bëjmë si hinkë duke e palosur dhe e presim sa masa e tavës në mënyrë dekoruese valë valë.

Në një enë hedhim vezën, sheqerin, vajin dhe më pas shtojmë miellin e trazuar me pluhurin pjekës në mënyrë graduale. E trazojmë mirë derisa të bëhet një brumë i butë.

Vendosim një letër kuzhine në tavolinën e punës dhe hapim brumin. Vendosim në të letrën e prerë dhe e presim brumin në formën e letrës. Kthejmë tavën përmbys dhe vendosim petën e formuar dhe e vendosim të piqet në furrë të nxehtë në temperaturën 180 gradë për 15-20 minuta.

Ndërkohë përgatisim kremin. Vendosim qumështin të ziejë duke i hedhur dhe disa lëkura limoni. Sapo qumështi të fillojë të marrë valë shtojmë vezët e trazuara me sheqerin dhe niseshten e shkrirë me pak qumësht. E përziejmë mirë derisa kremi të marrë valë dhe të lidhet. E lemë kremin që të ftohet.

Pasi brumi i tartës të jetë pjekur e lemë të ftohet dhe më pas hedhim mbi brumë kremin e përgatitur të cilin e dekorojmë me fruta të freskëta. Sipas dëshirës mund të përgatisim për frutat dhe një sherbet të hollë. Në një xhezve hedhim 1 lugë mjaltë, 2 lugë ujë dhe 2 pika lëng limoni. E lemë sherbetin të marrë valë për 2-3 minuta dhe më pas me anë të nje furçe lyejmë të gjitha frutat e tartës duke i dhënë shije dhe shkëlqim.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb