Policia e Korçës vijon operacionin “Perimetri”, duke goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Gjatë aksionit, policia ka arrestuar 46-vjeçarin Idlir Topçiu, i cili është kapur duke transportuar 23 emigrantë të paligjshëm, të cilët i kishte fshehur në karrocerinë e kamufluar të mjetit, me qëllim shmangien e kapjes nga policia, vihet në pranga 1 shtetas.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA-Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, të shtetasit I. T., 46 vjeç, banues në Durrës (me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe vjedhjes).

Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara, se një mjet tip “Ford” do të transportonte kundrejt shpërblimit, në drejtim të Tiranës, emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën duke bërë të mundur lokalizimin e mjetit me drejtues 46-vjeçarin dhe ndalimin e tij në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Gjatë kontrollit të ushtruar, në karrocerinë e mjetit, në një vend të përshtatur me dërrasa dhe binarë druri, u gjetën të fshehur 23 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 300 euro secilit, shtetasi I. T., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor, të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të bashkëpunëtorëve të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb