Emocione në protestë teksa këndohet “Himni i Teatrit” nga aktorja e njohur e Teatrit Eksperimental Adriana Tolka, e cila është shoqëruar nga turma e protestueve me duartrokitje. Aktorja Adriana Tolka, një prej artistëve që e mbrojtën për 27 muaj Teatrin ka thurur vargjet dhe muzikën e këngës.

Nga zemra kallur zjarr,
nga buzët këngëvrarë,
o qëndrestar,
forcën e ke marrë.
Në sheshin e pagjumë,
për ca liri më shumë,
si ti dhe unë
kemi lënë një gjurmë.

Teatri jemi ne,
me frymë e shpirt këtu.
O vend i shenjtë,
jemi bijtë e tu.
Nga sheshi i lirisë
Teatri ju thërret,
ta mbrojmë të gjithë
vlerën e vërtetë.

Qëndrestarë
me Teatrin dhe Teatri rron.
Si një barrikadë, me trupat tanë
do mbrojmë çdo gur
sot e përgjithmonë.

Me zemrën kallur zjarr,
besimin e pandarë,
ne, qëndrestarë,
këngën kemi marrë.
Nga sheshi i pagjumë
kërkojmë liri më shumë.
Teatri jam unë.
Teatri jam unë.

Qëndrestarë
për Teatrin dhe Teatri rron.
Si një barrikadë, me trupat tanë
do mbrojmë çdo gur
sot e përgjithmonë.

Teatri jemi ne,
me frymë e shpirt këtu,
o vend i shenjtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb