Spezia e Rey Manajt është mposhtur me rezultatin 0-3 ndaj Napolit, në stadiumin “Alberto Picco” të La Spezias, e vlefshme për javën e fundit të Serisë A. Sfida u zhbllokua menjëherë me Mateo Politanon në minutën e 4′ me një gol mjaft të bukur.

Më pas në minutën e 12′ ndeshja u ndërpre për 12 minuta pasi patën përleshje mes tifozëve dhe arbitri Marchetti sinjalizoi ndërprerjen për disa çaste derisa të vihet rregulli në tribuna.

Sfida nisi dhe goli u realizua në minutën e 25′ me anë të Zielinskit. Goli i tretë dhe i vulosjes së takimit ishte nga Deme në të 36′ minutë. I pafat ishte dhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, i cili shënoi gol me kokë, por ishte pak i avancuar sesa linja difensive e Napolit duke e bërë kështu që anësori të sinjalizonte pozicionin jashtë loje.

Vlen të theksohet se mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani nuk është preferuar për Spallettin këtë sfidë, ku përgjatë gjithë 90 minutëshit ka qenë në pankinë.

Me këtë disfatë, Spezia e mbyll kampionatin në vendin e 16-të me 36 pikë, ndërsa Napoli e përfundon këtë edicion të Serisë A në vendin e tretë në kuotën e 79 pikëve, pozicion që siguron një vend në grupet e Champions-it sezonin pasardhës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb