Komisariati i Policisë Vlorë ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një makinë tërhiqte nga pas me litar një qen të gjallë.

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, e filmuar në rrethrrotullimin e Babicës, në bypass-in e Vlorës, ku shfaqet një drejtues automjeti që tërhiqte një kafshë shtëpiake me automjetin e tij, policia Vlorë sqaron se:

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në pamjet filmike, por dhe nga telefonatat e adresuara nga qytetarë të ndryshëm, në sallën operative të DVP Vlorë, u bë identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i shtetasit Sh. H., 55 vjeç, banues në Vlorë.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin Sh. H., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.

Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar nga Policia Rrugore, me masë administrative 62.000 lekë të rinj, në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, për shkeljen e neneve 15, 191, 79 dhe 182.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital ?, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb