Tirana ka mposhtur 2-0 Flamurtarin në Vlorë në një ndeshje që doli të ishte më e vështirë sesa parashikimet, kjo falë rezistencës së vendësve ndaj bardhebluve.

Pas fitores spektakolare në derbi, pritej një Tiranë më shpërthyese ndaj vendit të fundit të renditjes, por bardheblutë kanë udhëhequr për pjesën më të madhe të takimit falë autgolit të Vrapit në të 32-ën, për të mbyllur llogaritë në të 86-ën me golin e Kobinah.

Sukses që i lejon kryeqytetasit jo vetëm të vijojnë kryesimin, por edhe ta zgjasin hapin ndaj rivalëve, duke qenë se Kukësi është frenuar në një barazim 0-0 me Vllazninë dhe duke humbur shumë terren ndaj Tiranës, që ngjitet në kuotën e 50 pikëve, 6 më shumë sesa verilindorët.

Ndërkohë vijon kriza totale te Partizani. Pas shuplakës në derbi të kuqtë janë mposhtur dhe nga Teuta, që ka fituar në “Selman Stërmasi” me shifrat 1-0 falë golit të Sherif Kallakut në minutën e 67-të. Kampionët, që deri para dy takimesh ishin në vendin e tretë dhe në luftë për titullin, tashmë zbresin në vendin e pestë, 12 pikë poshtë Tiranës. Fitore pa shumë mundime për Skënderbeun, të cilët kanë thyer Luftëtarin me shifrat 2-0.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb