Pse tifozeria na i rrëmben zemrat? “Jeta pa filtër” nga Ervisa Lula merr përjetimet pasionale të tifozëve dhe shpjegimet e specialistëve. Fokusuar tek euforia që ngjallin grupimet e ndryshme me bazë sportin, politikën, artin a të tjera arsye, turmat shkaktojnë rritjen e adrenalinës për një garë më të bukur, sikur ndodh e kundërta kur pritshmëritë e tyre zhgënjehen. I pyetur për “magjinë” që ngre zemrat peshë, sociologu Gëzim Tushi thotë se duhet të ndahet çështja e kufirit mes racionales e mendimit të arsyeshëm nga destruktiviteti i turmave të verbra. Tifozët e futbollit janë më të ndjeshëm.

Fansa të dy skuadrave të kryeqytetit, Tiranës e Partizanit kanë shpërthyer me thirrje e përjetime për “Jeta pa filtër” ndërsa flasin për skuadrën e tyre të dashur. Ata kujtojnë se si janë lidhur me këto klube, si ka mundur të ndikojë deri në çështje familjare tifozeria dhe në cilat raste mund ta “tradhtonin” skuadrën. I intervistuar, trajneri Julian Ahmataj flet për herët të parë se pse i ati nuk i shihte asnjëherë ndeshjet ku luante i biri, apo edhe ndikimin që ka tek sportistët tifozeria. Ai tregon se si futbollistët përballojnë britmat, nxitjen, apo edhe sharjet e tifozerisë. Në “Jeta pa filtër” moderatorja e “Sport News Plus” Daljana Sejdia ndalet tek rëndësia e tifozëve në stadium, prania e grave e fëmijëve apo edhe si ndihet kur dëgjon sharje, madje tregon për batuta komike që e kanë befasuar. Një grup tifozësh të Partizanit dhe Tiranës, si një raport i kahershëm dashurie e rivaliteti të përjetshëm ndihet edhe në këtë kundërvënie preferencash, simbolesh, himnesh që i kupton vetëm kur të vlon në gjak një ndjenjë e fortë për skuadrën tënde apo çdo lloj tjetër pasioni që merr me vete një numër të madh tifozësh që rriten nga dita në ditë.
(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb