LEZHE– Nëntë mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë janë sekuestruar ditën e djeshme nga Policia e Lezhës. Gjatë operacionit të koduar “Etalon” në Lezhë, policia ka sekuestruar edhe një kallëp tritoli, si dhe materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e këtyre minave.

Në vijim të operacionit u arestuan dy persona, Franko Çinari, 21 vjeç, dhe Stavro Kotorri, 18 vjeç, të dy banues në Tiranë, ndërsa një 30-vjeçar u shpall në kërkim.

Në pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit, njëri prej trafikantëve shfaqet me një çantë në dorë, teksa i drejtohet një makine, por sapo ka pikasur uniformat blu e ka hedhur çantën në koshat e mbeturinave që ndodheshin aty pranë dhe ka tentuar të largohet me vrap.

Por uniformat blu kanë ndërhyrë në kohë, duke e arrestuar të riun.

“Më datë 10.05.2017, nga Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune hetimore disa javore ndjekur me metoda speciale të hetimit, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Etalon” ku si rezultat i tij u sekuestruan:

9 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë
– 1 çantë sportive
– 1 kallëp lëndë shpërthyese ( tritol)
– 4 magneta
– tela , kaçavida etj.
materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e këtyre minave

U arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Franko Çinari, 21 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”,
– Stavro Kotorri, 18 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi E.T. 30 vjeç, banues në Tiranë i dyshuar si bashkëpuntor në këtë veprimtari kriminale “Trafikimi i armëve dhe municioneve”, si dhe punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpuntorëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, vijojnë hetimet për të zbardhur qëllimin e prodhimit dhe të përdorimit të minave për shpërthim në distancë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb