Teuta nuk shkëlqen por as nuk stonon përballë Apolonisë, në fund festojnë me tre pikët, e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë pikë të sezonit. Të projektuar për titull, bregdetarët nuk po arrijnë në asnjë moment të ngjiten në të tilla në nivele por vijojnë të qëndrojnë aty, në garë për objektiva të rëndësishëm, fundja as kreu nuk është më një objektiv jo real pasi diferenca me Vllazninë shkon në shtatë pikë. Ekipi i Edi Martinit vijon të has shumë vështirë për të gjetur golin, aq më shumë për të mbyllur një ndeshje, shpëtimi këtë herë erdhi nga një mbrojtës si Rustem Hoxha. Bregu dhe Krasniqi mbeten një dyshe e bukur në letër por në fushë nuk po arrijnë të koordinohen si duhet. Fantazisiti vlonjat ka shumë klas në këmbët e tij por ky mbetet një sezon i vështirë për të, të paktën në marrëdhënien me golin. Në minutën e 23-të u shërbye pastër në zonë, por nga një penallti në lëvizje nuk tregohet i saktë me portierin Harizaj që grushton në këndore. Apolonia bëri lojën e sajë në “Niko Dovana”, kërcënoi në çdo moment që iu dha mundësia, si në minutën e 36-të me Levendin që arriti ti marrë një top Arapit por ma mundur të gjejë kuadratin. Të shtyre nga presioni i rezultatit, Teuta luajti gjithçka për gjithçka me fillimin e pjesës së dytë, Bregu u shfaq menjëherë kërcënues por portieri Harizaj u tregua i vëmendshëm.

Atëherë kur gjërat po ndërlikoheshin më shumë seç duhej, në minutën e 76-të, Rustem Hoxha nga goditja e dënimit, në tentativën e dytë, arrit të gjej devijimin e duhur për të dërguar topin në trekëndësh. Festa ishte e gjitha për durrsakët të vetëdijshëm për peshën e këtij goli. Apolonia u përpoq të mos dilte pa pikë nga kjo transfertë por nuk kishin forcën e duhur për të bërë keq, ishin dhe me fat duke mos pësuar dhe golin dytë në fund, mbijetesa për ta mbetet një garë e vazhdueshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: