Prestige është skuadra fituese e Superkupës së Shqipërisë në futbollin “9×9”. Në finalen e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet, Prestige, fitues në fuqi i FSHF Cup, shkatërroi me rezultatin 5-0 skuadrën Roamel, kampion në fuqi i Sunday League.

Një ndeshje e dominuar tërësisht nga Prestige, ku protagonistët e golave ishin Biba, Vasha, Shima me dopietë si dhe Rapo. Me këtë sukses Prestige shkruan historinë si skuadra e parë dhe e vetme në Shqipëri që koleksionon çdo trofe të mundshëm të futbollit “9×9”. Kështu pas titullit kampion në Sunday League dhe triumfit në FSHF Cup, tashmë kompletohet tripleta e trofeve me Superkupën. Një arritje prestigjioze që vjen me emrin Prestige.

NDESHJA – Duke ndalur te finalja e djeshme, Prestige ndërmori që në fillim ofensivën në kërkim të golit. Fillimisht provuan Branica dhe Nuza, por portieri i Roamel, Xhaferi, shpëtoi portën. Në të 24-ën Xhaferi do të bënte një tjetër mrekulli, duke shmangur një gol të sigurt pas një goditjeje të Vashës. Por vetëm pak sekonda më vonë, Hysenbelliu depërton bukur nga e majta, për të shërbyer një asist në perfeksion për Bibën, më ketë të fundit që shtyn topin në rrjetë, për t’i dhënë avantazhin Prestige.

Në fundin e pjesës së parë nuk mungon as tensioni në fushë, me ndeshjen që ndërpritet për disa minuta. Ndërsa gjyqtari Endrit Zhuli largon me kartonë të kuq Fatmir Hysenbelliun e Prestige dhe Ilirjan Çaushajn e Roamelit. Ndërkohë me rifillimin e lojës, Vasha, me një të majtë kirurgjike tokazi nga distanca, e dërgon sferën në cepin e portës duke i dërguar shifrat në 2-0. Në startin e pjesës së dytë, Roamel kërkon reagimin. Provon dy herë Haxhia nga distanca, por portieri Cara është i vëmendshëm. Por në të 38-ën, pas një zbritjeje të shpejtë nga e djathta vjen edhe goli i tretë i Prestige, me Shimën që finalizon një asist nga Ademi. Ky i fundit shërben një tjetër asist në të 47-ën thuajse fotokopje edhe për golin e katërt, që shënohet nga Rapo. Ndërkohë qershia mbi tortë vjen nga Shima, i cili me një goditje thuajse nga zona e tij “përshëndet” portierin Rei Xhaferi duke ia stampuar topin në rrjetë për herë të pestë, për të kompletuar dopietën personale.

Kështu gjithçka mbyllet me fitoren 5-0 të Prestige, ndërsa më pas është radha e ceremonisë. Trofeun e Superkupës e dorëzon anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Fatbardh Jera, ndërsa Hysenbelliu dhe Shima ngrenë lart një tjetër kupë. Në fund ka vend edhe për festën me lojtarët e Prestige që festojnë në fushë me Birra Korça.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb