Atletico Madrid po përjeton një sezon të vështirë, goditjen e radhës, mbase më të rëndën e morën në Kupë. Ekipi i Colo Simeones pësoi një eliminim të turpshëm në fazën e 1/16 nga Leonesa, ekip që militon në kategorinë e tretë. Simeone i kishte kushtuar rëndësinë e duhur këtij takimi duke hedhur në fushë disa titullarë të rëndësishëm se Joao Felix apo Correa, pikërisht ky i fundit kaloi Atletico në avantazh në minutën e 62-të. Kur gjërat po shkonin drejtë fundit, Castaneda barazoi shifrat duke dërguar ndeshjen në shtesë. Në minutën e 108-të, Leonesa përmbysi rezultatin duke eliminuar Atleticon, një humbje që mund të konsiderohet pa frikë si momenti më i vështirë i Colo Simeones në krye të Alteticos por tekniku argjentinas nuk e sheh në këtë mënyrë:

“Kam parë gjithnjë momente të vështira edhe në sezone të tjera. Nuk më kanë ndryshuar dy finale të humbura në Champions, nuk më kanë ndryshuar humbje të tjera e nuk do të më ndryshoj as kjo humbje. Besoj totalisht tek lojtarët e mi. Diçka e tillë nuk duhet të ndodhte por ndodhi. Kam një grup të rëndësishëm dhe jam i sigurt se rezultatet do të vijnë shumë shpejt”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb