Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot shqiptarët, ku një e moshuar në Pejë rrihet barbarisht nga infermieret e një Institucioni për kujdesin e të moshuarve.

Ngjarja ka ndodhur para disa ditëve, ndërsa mësohet se e moshuara vuan nga Alzhaimer.

Në një prononcim për mediat kosovare, dhëndri it ë moshuarës u shpreh se familjarët paguanin 650 euro në muaj për trajtimin dhe kujdesin ndaj saj, duke pasur parasysh se persona me këtë sëmundje kanë nevojë për një trajtim të veçantë.

Familja fillimisht bëri kërkesë për tërheqjen e të moshuarës nga qendra, ndërsa mbrëmjen e sotme, vajza e saj ka larguar nënën nga qendra dhe e ka marrë në shtëpi.

Gazeta Express ka raportuar se bashkëshorti i saj bën me dije se ajo është në gjendje jo të mirë psikologjike pasi pa videon ku nëna e saj keqtrajtohej nga ato që në fakt duhej të kujdeseshin për të. Policia ka njoftuar se në pranga janë vënë dy infermiere njëra prej të cilave është ajo që kryen dhunën.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar për rastin e dhunës ndaj të moshuarës.

MSH deklaroi se Inspektorati Shëndetësor ka qëndruar sot në këtë institucion dhe ka treguar se të arrestuarat dhe të përfshirët në këtë ngjarje janë infermiere të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësore.

“Pas inspektimit, Raporti i Inspektoriatit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi.

Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohen profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: