Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet e një sulmi të luftëtarëve ukrainas ndaj një helikopteri rus, të cilin e rrëzojnë duke e goditur me një raketë tokë-ajër të prodhimit britanik.

Ushtarët nga Brigada e Sulmit Ajror të 95-të, me bazë në Zhytomyr, në veriperëndim të Ukrainës, përdorën një raketë Martlet, të njohur si Starstreak në Mbretërinë e Bashkuar, për të sulmuar helikopterin rus Kamov KA-52 që po fluturonte aty pranë.

Helikopteri sulmues rus me një ulëse është mbiquajtur “Peshkaqeni i Zi” dhe është përshkruar si “helikopteri më vdekjeprurës” i Rusisë për shkak të sistemit të tij të menaxhimit të fushëbetejës, i cili e lejon atë të ndajë të dhëna me avionë të tjerë për të koordinuar operacionet e sulmit.

Pavarësisht çmimit prej 12 milionë paundë, ai nuk ishte në gjendje ta dallonte në kohë raketën ukrainase pasi brenda 30 sekondave nga lëshimi i Martlet, KA-52 duket se është goditur.

Edhe pse në video nuk shihet se helikopteri është dëmtuar, burimet e mbrojtjes ukrainase pohojnë se ai është rrëzuar.

Raketa Martlet është një armë e lehtë tokë-ajër e zhvilluar për Mbretërinë e Bashkuar nga Thales Air Defence, e quajtur pas martletit, një zog mitik anglez që nuk ngrihet kurrë.

Ajo është projektuar për t’u lëshuar nga një sërë platformash ajrore, tokësore dhe detare në një sërë objektivash, me saktësi super të lartë që redukton dëmtimin kolateral, duke e bërë atë “të përshtatshme për operacione asimetrike në breg”.

Në fillim të këtij muaji, Britania u zotua t’i bashkohet SHBA-së në dërgimin e sistemeve të raketave me rreze të gjatë në Ukrainë për të ndihmuar në shmangien e pushtimit rus, duke sfiduar paralajmërimet e Vladimir Putin kundër furnizimit të Kievit me armë të avancuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb