Tre persona kanë rënë në pranga pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në vijim dhe të operacionit “Fati i lojërave”, shërbimet e Policisë kanë goditur 3 raste të tjera, në vende dhe kohë të ndryshme, konkretisht:

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M.,25 vjeç, banues në Vlorë, pasi në lagjen “Pavarësia”, në ambientet e lokalit të tij “BAR-KAFE”, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit janë konstatuar disa pajisje elektronike, si një kompjuter laptop, një printer, një Ipad të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara dhe baste sportive, duke përfituar vlera monetare të pa deklaruar në organet tatimore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh.F.,25 vjeç, banues në Vlorë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit të tij në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, janë konstatuar tre dekodera, një kompjuter laptop dhe një aparate telefoni celular, të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara dhe baste sportive.
Si dhe proceduan penalisht shtetasin P.C.,62 vjeç., banues në lagjen Pavarësia, Vlorë, pasi në ambientet e lokalit të mësipërm u konstatua duke vendosur baste sportive.

Po nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D.B.,29 vjeç, banues në Vlorë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit të tij në lagjen “24 Maj”, Vlorë, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit u gjetën e sekuestruan tre aparate telefona celular të cilat dyshohen se përdoreshin për vendosjen e basteve sportive. Si dhe proceduan penalisht shtetasit I.J.,50 vjeç,dhe A.D.,27 vjeç, banues ne Vlorë, pasi në ambientet e lokalit të mësipërm kanë vendosur baste sportive.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: