Dy shqiptarë të Kosovës kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh të ndodhura në kryeqytet dhe jo vetëm. BalkanWeb mëson se bëhet fjalë për shtetasit Arben Krasniqi, 47 vjeç dhe Driton Shala, 52 vjeç, të cilët akuzohen për ‘Vjedhje në bashkëpunim më shumë se një herë”.

BalkanWeb ka siguruar pamjet filmike ku dy këta persona, të veshur me kapele dhe rroba të errëta, hyjnë në një qendër tregtare në Tiranë. Bëhet fjalë për datën 15 janar të këtij viti, rreth orës 17:35, ndërsa dyshohet se këtë ditë ata kanë vjedhur një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra shtetasit me inicialet K.M., i cili ka bërë kallëzimin në polici.

Ndërkohë, në datën 12 janar në një lokal pranë stadiumit Air Albania, në orën 21:36 minuta kanë tentuar të vjedhin një sasi lekësh, ngjarje e administruar edhe përmes pamjeve filmike. Po ashtu, vetëm një ditë më vonë, në orën 19:30 në një lokal pranë Librit Universitar, këta dy persona i kanë vjedhur një shumë prej 450 eurosh një shtetasi italian që po darkonte në këtë ambient.

Burime zyrtare bënë me dije se këtyre dy personave iu janë sekuestruar 250 mijë lekë të vjetra dhe 590 euro, ndërsa tashmë ndodhen pas hekurave. Këta dy persona akuzohen se kanë vjedhur edhe në Ulqin dhe Kosovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: