Policia vijon me ndëshkimet me gjoba për qytetarët që shkelin rregullat e parandalimit të përhapjes së COVID_19 duke mos vendosur maskat.

619 qytetarë janë ndëshkuar së fundmi nga uniformat blu teksa 6 prej tyre u shoqëruan pasi nuk pranuan t’i tregojnë policëve dokumentin e identifikimit apo nuk e kishin me vetë.

Edhe njëherë Policia i bën apel qytetarëve të vendosin maskat dhe të respektojnë me rigorozitet karantinimin e detyrueshëm kur ata janë të prekur nga COVID-19, ndërkohë që lokalet të respektojnë protokollet e sigurisë.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Policia e Shtetit

U konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen me masë administrative 619 qytetarë.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 619 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: