TIRANE- Vjedhja pak ditë më parë, në një dyqan që shet syze optike në zonën e Bllokut, ka vënë në vështirësi shërbimet e Komisariatit numër 2 të policisë së kryeqytetit.

Pavarësisht se nga pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë dallohet qartësisht autori, policia nuk ka arritur të bëj të mundur identifikimin dhe arrestimin e tij.

Në këto pamje duket qartësisht vjedhja e ndodhur nga një i ri rreth 20-­25 vjeç, me datën 31 tetor në orën 19 e 46 minuta. E gjithë ngjarja zhvillohet në 35 sekonda, ku në dyqan ndodhet shitësja, dy klientë që po blejnë dhe hajduti.

I kthyer me shpinë nga tre personat, por duke kontrolluar veprimet e tyre nëpërmjet pasqyrës, hajduti ka shfrytëzuar shpërqendrimin e shitëses, e cila po i tregonte klientes me pallto të kuqe, disa lloje syzesh, dhe ka arritur t’i marr portofolin në tryezën e punës.

Duke qëndruar qetësisht përballë tyre, autori e ka fshehur portofolin poshtë rrobave në fundshpinë.

Sipas dëshmisë në vendngjarje në portofol ndodheshin një sasi parashdhe të gjitha dokumentet e identifikimit të shitëses.

Forcat e komisariatit numër 2 të policisë duke u nisur nga këto pamje të publikuara kërkojnë ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorit, i cili dyshohet të ketë kryer dhe disa vjedhje të tjera në zonë. Për çdo informacion të vlefshëm qytetarët mund të telefonojnë në numrin 112 të policisë. (TV KLAN)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb